Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të parë në kuadër të legjislaturës së re, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të nisë në ora 17:00.
Kjo seancë shënon formalisht fillimin e punës së legjislaturës së dhjetë, pas përmbylljes së procesit zgjedhor të mbajtur më 28 dhjetor.
Sipas rendit të ditës, fillimisht do të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve dhe konfirmimi i kuorumit, më pas deputetët do të japin betimin solemn. Në vijim pritet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij.
Presidentja Vjosa Osmani fillimisht e kishte caktuar seancën për në ora 12:00, por ajo u shty për shkak të procesit gjyqësor në Hagë.
Më poshtë rendi i ditës:
- Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
- Betimi i deputetëve,
- Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit,
- Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.







