Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pozitivisht ndaj vendimit të Komisionit Evropian për të larguar të gjitha kufizimet financiare që deri më tani pengonin institucionet dhe bizneset e Kosovës në qasjen ndaj fondeve dhe instrumenteve të Bashkimit Evropian për zhvillim ekonomik.
Sipas OEK-së, ky vendim krijon mundësi të reja për avancimin e projekteve dhe përfshirjen më të madhe të Kosovës në iniciativa rajonale dhe evropiane.
“Ky hap i rëndësishëm i hap rrugën edhe për realizimin e projekteve rajonale në fushat e energjisë, mbrojtjes së mjedisit, digjitalizimit dhe infrastrukturës lokale. Ne vlerësojmë angazhimin e Komisionit Evropian dhe institucioneve evropiane për t’i rikthyer vendit tonë rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian. OEK-u mbetet i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të siguruar një sektor privat të fuqishëm dhe perspektivëdhënës në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, thuhet në reagimin e OEK-ut.














