Debati për projektet infrastrukturore është rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi akuza të reja janë drejtuar ndaj Qeverisë për ndaljen e mbështetjes financiare për një nga projektet më të rëndësishme rrugore në vend. Kjo çështje po shihet si një goditje për zhvillimin ekonomik të rajonit të Dukagjinit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për largimin nga mbështetja financiare të projektit të Autostradës së Dukagjinit, duke e cilësuar këtë si vendim të gabuar dhe me pasoja për zhvillimin ekonomik.
Haradinaj ka theksuar se gjatë qeverisjes së tij, projektimi i kësaj autostrade kishte qenë një hap konkret drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore për vendin.
Sipas tij, ndalimi i mbështetjes financiare për këtë projekt nuk është thjesht çështje buxheti, por tregon për mungesë prioritetesh nga ana e ekzekutivit aktual. Ai ka paralajmëruar se një vendim i tillë nënkupton shtyrje të realizimit, humbje kohe dhe mundësish për qytetarët e rajonit të Dukagjinit.
Haradinaj ka theksuar se Autostrada e Dukagjinit do të lidhte disa qytete të rëndësishme si Istogu, Peja, Deçani, Gjakova, Rahoveci, Suhareka dhe Prizreni, duke krijuar një korridor të fuqishëm ekonomik dhe duke ndikuar në uljen e kostove për bizneset, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit.
Ai ka kritikuar Qeverinë duke thënë se, ndonëse flet për zhvillim, në praktikë po ndalon projekte që e mundësojnë atë, ndërsa ka ngritur pyetjen pse një projekt i tillë është larguar nga financimi.














