Çështja e shpërblimeve për zyrtarët publikë ka nxitur reagime të reja nga përfaqësuesit sindikalë në vend, të cilët po kërkojnë trajtim të barabartë për të gjithë punëtorët. Pakënaqësia lidhet me përjashtimin e disa kategorive nga përfitimet financiare të paralajmëruara.
Në këtë kuadër, Sindikata Re e Punëtorëve të KEK-ut i është drejtuar publikisht Ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit për shpërblimin që pritet ta marrin rreth 90 mijë zyrtarë publikë.
Krejt këto veprime, kryetari Xhelal Jashari tha se i ndërmori në mënyrë që këta shërbyes të mos diskriminohen.
Nëse këto të holla nuk u ndahen edhe kësaj kategorie, Jashari paralajmëroi masa sindikale.
Për këtë çështje, veprime të ngjashme paralajmëruan edhe nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Trepçës”.
Për shqetësimin e këtyre dy kryesindikalistëve, si dhe për ndaljen e pensioneve për veteranët e luftës UÇK-së, janë dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, por nuk ka pasur përgjigje deri në momentin e publikimit të kësaj kronike.














