Fred Brandt (1944): Me partizanët në Shqipëri

I lindur në Shën Petersburg (Rusi) dhe i rritur në Letoni, Dr. Fred Hermann Brandt [1901-1994] ishte figurë e inteligjencës ushtarake gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si entomolog, kishte udhëtuar në Iran gjatë viteve 1937-1939 për të studiuar dhe mbledhur flutura dhe tenja, duke botuar disa artikuj shkencorë mbi rezultatet e ekspeditave të tij. Gjatë luftës, si pjesëtar i Vermahtit gjerman, Brandt u trajnua si agjent kundërzbulimi dhe drejtoi një batalion të njësive Brandenburg në vitet 1939-1940. Fillimisht u dërgua në Afganistan, si gjoja pjesë e një “komisioni kërkimesh për lebrën”, ku inteligjenca gjermane kishte depërtuar në fiset pashtune dhe shpresonte të organizonte një kryengritje kundër britanikëve. Në fillim të vitit 1944, Fred Brandt dhe disa nga burrat e tij taxhikë u dërguan nga Vermahti në Veri të Shqipërisë për të ngritur një bazë në Nikaj, me qëllim sigurimin e rrugëve të tërheqjes së gjermanëve nga Jugu. Aty ai ishte në kontakt të ngushtë dhe miqësor me oficerët britanikë të inteligjencës. Në fillim të tetorit 1944, pasi humbi kontaktin me inteligjencën gjermane në Pejë dhe Beograd dhe pasi dëgjoi se shumë oficerë gjermanë po arrestoheshin dhe pushkatoheshin si tradhtarë nga udhëheqja naziste, Brandti vendosi të shoqëronte oficerët britanikë drejt Lezhës dhe me anije për në Bari – si rob lufte. Në një artikull për të botuar në periodikun britanik Sunday Pictorial në vitin 1957, shumë kohë pas Luftës së Dytë Botërore, Fred Brandt u përshkrua si “koloneli dinak i fluturave. Ai shtirej se donte vetëm të kapte flutura, ndërkohë që në të vërtetë ishte koloneli Brandt, mjeshtër i spiunazhit armiqësor, që përpiqej të mbyllte një rrjet vdekjeje rreth agjentëve britanikë … Ky njeri merimangë ishte mjeshtri i agjentëve nazistë, një nga njerëzit më të pabesueshëm në historinë e errët të spiunazhit dhe tradhtisë gjatë luftës”. Në vitin 1973, Fred Brandt shkroi dhe botoi raportin e mëposhtëm mbi veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme në Shqipëri.

Eprori im në Pejë, një kapiten i inteligjencës, më shpjegoi se kishte marrë një urdhër nga Beogradi për të ngritur një bazë në Alpet Shqiptare, në perëndim të Gjakovës. Qëllimi ishte të pengoheshin oficerët britanikë të Shërbimit të Inteligjencës që t’u jepnin shqiptarëve armë e pajisje, dhe t’i inkurajonin ata të ndërprisnin rrugët tona të furnizimit drejt Jugut dhe të hidhnin në erë një minierë kromi që kishte rëndësi për përpjekjet e luftës.

Unë duhej ta krijoja dhe ta mbaja këtë bazë të Vermahtit gjerman në Alpet Shqiptare, bashkë me disa taxhikë.

Nga Peja deri te ky varg i ashpër malor ishin rreth 75 kilometra. Baza duhej të vendosej më thellë në male, në anën tjetër të qafës prej 1 800 metrash. Territori që të çonte në vargmal përbëhej nga pyje të dendura që shtriheshin 30 kilometra nga lumi i Valbonës. Në anën tjetër të kësaj rrjedhe ngriheshin shkëmbinjtë me gurë të Alpeve Shqiptare.

Rajon kishte vetëm shtigje të ngushta, të përdorshme kryesisht nga mushkat. Baza do të ishte pra dy ditë të plota në marshim nga Peja, një faktor që krijoi problemin e parë – furnizimin.

Para se të shprehja mendimin tim për planin, i kërkova eprorit leje për të eksploruar territorin. Ai pranoi.

U nisa në ditët e para të marsit 1944 me gjashtë taxhikë dhe një shqiptar nga Gucia në Mal të Zi, për të arritur në pjesën më veriore të Alpeve Shqiptare. Armatimi ynë përbëhej nga shtatë mitraloza të lehtë, shtatë pistoleta dhe gjashtë granata dore për secilin. Shqiptari kishte një karabinë italiane dhe ne kishim municion të mjaftueshëm.

Fillimisht kaluam qafën 2 000 metra që shënon kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe që në atë kohë ishte ende e mbuluar me shtatë metra borë. Kishte një stuhi dëbore në pjesët e ngrira të qafës saqë na ngrihej fryma. Pas një marshimi pesëmbëdhjetë orësh, mbërritëm në luginën e ngushtë të Thethit ku u mirëprita nga një shqiptar që njihja. Prej këtu lëvizja nëpër fshatrat e mbuluar nga bora, lart e poshtë për tri javë, shumicën e kohës pa shtigje të qarta. Në këtë kohë mësova se udhëheqës i partizanëve, i një forcë prej rreth tre mijë vetash, ishte një shqiptar i quajtur Nik Sokoli. Më informuan se një oficer britanik ndodhej në selinë e tij që gjendej në një pjesë shkëmbore në Curraj, në Nikaj-Mërtur. Nik Sokoli kishte ngritur folenë e tij lart në shkëmbinj.

  • Të ngjashme:

    Zbulohen gjurmë të një vendbanimi arkeologjik në zonën e Lushnjës
    • March 10, 2026

    Në zonën e quajtur Kodra e Pusit, pranë fshatit Murizë në Peqin, kanë nisur gërmime arkeologjike shpëtimi që po zhvillohen nga arkeologët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim…

    Vazhdo lëximin...
    Kurti vlerëson kineastet e Kosovës për sukseset në skenën ndërkombëtare
    • March 9, 2026

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur vlerësim për kontributin që gratë kineaste nga Kosova po japin në industrinë e filmit, duke theksuar se puna dhe arritjet e tyre po…

    Vazhdo lëximin...

    Ke humbur:

    Zyrtari i lartë i sigurisë iraniane, Trumpit: Ki kujdes, që të mos eliminohesh!

    • March 10, 2026
    Zyrtari i lartë i sigurisë iraniane, Trumpit: Ki kujdes, që të mos eliminohesh!

    Rrahje në Stacionin e Autobusëve në Pejë, dy të lënduar dhe katër janë arrestuar nga policia

    • March 10, 2026
    Rrahje në Stacionin e Autobusëve në Pejë, dy të lënduar dhe katër janë arrestuar nga policia

    Ndërprerje e furnizimit me ujë në disa zona të Gjakovës për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit

    • March 10, 2026
    Ndërprerje e furnizimit me ujë në disa zona të Gjakovës për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit

    Gjykata Themelore dënon me 52 vjet burgim pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

    • March 10, 2026
    Gjykata Themelore dënon me 52 vjet burgim pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

    Samsung konfirmon Galaxy M17e, zbulohen specifikat dhe çmimi i mundshëm

    • March 10, 2026
    Samsung konfirmon Galaxy M17e, zbulohen specifikat dhe çmimi i mundshëm

    Zbulohen çiftet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës

    • March 10, 2026
    Zbulohen çiftet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës