Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ka prezantuar së fundmi romanin e tij të ri me titullin “Jam Mysliman”, një vepër që pritet të shkaktojë diskutime për temat dhe qasjen e trajtimit të tyre.
Në një postim në Facebook, Blushi ka ndarë disa momente nga ngjarja e promovimit dhe ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e miqve dhe të afërmve. Ai theksoi se mbështetja e tyre tregon se letërsia vazhdon të ketë lexues dhe admirues të shumtë, duke i dhënë autorit motivim për të shkruar më shumë.
Promovimi u zhvillua në Tiranë, ku Blushi falënderoi të pranishmit dhe vuri në dukje se salla e madhe e Hotel Plazës ishte e mbushur, shumë nga të ftuarit qëndruan në këmbë për mbi një orë për të ndjekur ngjarjen. Ai e konsideroi këtë përvojë një arsye shtesë për të vijuar krijimtarinë letrare. /Gjurmuesi/









