Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabilë, pasi dyshohet se është viktimë e keqtrajtimit dhe kequshqyerjes nga prindërit e tij, të cilët tashmë janë arrestuar.
Sipas Klinikës së Pediatrisë, fëmija ishte pranuar fillimisht në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime gangrenoze. Në momentin e pranimit, ai ndodhej në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.
Pas ndërhyrjeve të para dhe konsultave me specialistë, mjekët rekomanduan hospitalizimin urgjent në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimi. Fëmija mbetet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabilë.
Rasti është raportuar menjëherë te autoritetet përkatëse, përfshirë Polici e Kosovës dhe shërbimet sociale, për shkak të dyshimeve për keqtrajtim. Ai ndodhet pa praninë e prindërve apo kujdestarit ligjor dhe është nën mbikëqyrje të vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë.
Kujdesi ofrohet nga një ekip multidisiplinar që përfshin pediatër, kirurgë vaskularë, kirurgë plastikë dhe ortopedë. Për gjendjen psikologjike, janë të përfshirë edhe psikologë dhe psikiatër të fëmijëve.
Gjatë ditës së sotme, fëmijën e vizitoi edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Në koordinim me ministrin për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti, dhe Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, pritet të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen ligjore dhe sociale të tij.














