NATO-ja ka riafirmuar angazhimin e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë një takimi në selinë e Aleancës mes zëvendëssekretares së përgjithshme, Radmila Shekerinska, dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Në komunikatën zyrtare, NATO-ja thekson rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe rolin thelbësor të dialogut në arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë. “NATO-ja vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur në aspektin ushtarak në terren për të ruajtur paqen, në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Por zgjidhja përfundimtare për stabilitet të qëndrueshëm rajonal është politike”, deklaroi Shekerinska.
Aleanca gjithashtu mbështet plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke vlerësuar përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së në këtë proces. “NATO-ja vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, theksohet më tej.
Njoftimi gjithashtu nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes NATO-s dhe BE-së, duke shpjeguar se koordinimi i vazhdueshëm është kyç për përparimin e dialogut. Ndërkohë, misioni paqeruajtës KFOR vazhdon të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.














