Zyra e Presidentes ka reaguar ndaj deklaratave të fundit politike që lidhen me procesin e zgjedhjes së presidentit. Përmes një qëndrimi zyrtar, është mohuar se Presidentes Vjosa Osmani i janë ofruar nënshkrime nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje.
Këshilltarja e Presidentes së Republikës së Kosovës, Learta Hollah, ka kundërshtuar publikisht raportimet se LVV i ka ofruar mbështetje dhe nënshkrime për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Në deklaratën e saj thuhet se Presidentja Vjosa Osmani demanton kategorikisht pretendimet se i janë ofruar nënshkrimet nga Lëvizja Vetëvendosje për një mandat të dytë si Presidente e Republikës së Kosovës.
“Kjo është gënjeshtër”, thuhet në reagimin e bërë publik nga këshilltarja e Presidentes.
Reagimi vjen pas deklaratës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila kishte thënë se nënshkrimet i janë ofruar Osmanit, por ajo i ka refuzuar.







