Një prej projekteve komike më të komentuara të Televizionit Zviceran (SRF), seriali “Te Berberi – Wächst ja wieder”, po hyn në garë për një prej çmimeve më prestigjioze televizive në Evropë: Rose d’Or. Përderisa sezoni i parë po vazhdon të marrë vëmendje, produksioni tashmë ka nisur punën për vazhdimin e tij.
Ceremonia ku do të ndahen çmimet Rose d’Or mbahet më 1 dhjetor në King’s Place në Londër, ku do të shpallen fituesit për prodhimet më të mira ndërkombëtare televizive.
Seriali është nominuar në kategorinë “Multiplatform Series”. Ai u realizua nga kompania “Shoki Filmproduktion” me bazë në Bazel dhe përfaqëson prodhimin e parë zvicerano-shqiptar të SRF-së.
Premiera fillestare u publikua në YouTube në dhjetor 2024, ndërsa transmetimi në televizion u bë në mars 2025.
Producenti Florim Brajshori, me prejardhje nga Kosova, jo vetëm ka drejtuar projektin, por luan edhe rolin e Dautit, një nga personazhet kryesore, dhe përfaqëson Zvicrën në këtë festival ndërkombëtar.
Rose d’Or çdo vit nderon veprat më të dalluara televizive. Kjo nominim shënon herën e parë pas tre vitesh që një produksion zviceran arrin të futet në garë.
Historia e serialit zhvillohet në një sallon flokësh në Bazel, ku Dauti – një shqiptar nga Kosova – investon të gjitha kursimet e tij. Ai punëson ish-bashkëshorten si menaxhere duke shpresuar të ringjallë raportin me familjen dhe djalin e tij, Xonin. Por sinqeriteti dhe kokëfortësia e tij, së bashku me prishjet e vazhdueshme që shkakton miku i tij Rocki, e shndërrojnë gjithë planin në një rrëmujë të pandalshme.
Në serial luan edhe aktori i humorit Vedat Bajrami në rolin e Rockit, si dhe shfaqen mysafirë të njohur, përfshirë kampionin zviceran të mundjes Christian Stucki dhe futbollistin Edon Zhegrova. Projekti sjell një kombinim të veçantë komedie, dramë dhe kulturash të ndryshme.
“‘Te Berberi’ ka përmbushur pritjet tona”, ka deklaruar Baptiste Planche, Shefi i Fiksionit në SRF. Ai shtoi se seriali është pritur shumë mirë brenda komunitetit, tek publiku që synohej fillimisht.
Aktualisht, SRF dhe “Shoki Filmproduktion” po punojnë në konceptet për sezonin e dytë, megjithëse ende nuk ka vendime përfundimtare. /Gjurmuesi/









