“Sa mund të lakohemi para se të thyhemi” – ekspozita e artistes Remzije Lloga

Veprat me ngjyra të ndezura e forma të lakuara të trupit njerëzor janë në qendër të ekspozitës “Sa mund të lakohemi para se të thyhemi” (“How far can we bend before we break”) të artistes Remzije Lloga, e cila po prezantohet për herë të parë para publikut të Prishtinës. Ekspozita është hapur në hapësirën e re kulturore “Lavjerr’S”, e cila njëkohësisht është edhe kafe-galeri në zemër të qytetit.

Në veprat e saj, Lloga eksploron kufijtë fizikë dhe emocionalë të njeriut, duke reflektuar mbi tensionin e të qenit i pranishëm në trup, por shpesh i largët me mendje. Trupi i përkulur, i lakuar deri në ekstrem, bëhet simbol i përballjes me jetën, e cila na thyen, por po ashtu na rimëkëmb.

Punimet e para të këtij cikli, monotipet grafike, janë krijuar gjatë viteve 2021–2022, kur artistja studionte në Itali. Ato shërbyen si pikënisje për pikturat e reja me përmasa më të mëdha, ku figura njerëzore transformohet nga trup i rritur në formë embrioni – një kontrast mes zhvillimit dhe brishtësisë.

Sipas artistes, procesi ka qenë një udhëtim nga grafika drejt pikturës, duke ruajtur temën qendrore të njeriut dhe identitetit, por duke e trajtuar atë në mënyrë më të pjekur. Ngjyrat në veprat e saj – e verdhë, e bardhë dhe e kaltër – janë të përdorura si elemente simbolike që përfaqësojnë emocione, boshllëk apo sublimen. Pikturat si “The Yellow”, “The White” dhe “Blue” theksojnë lidhjen mes ngjyrës, formës dhe ndjenjës.

Remzije Lloga, e lindur në Strugë, është artiste vizuale dhe mësuese. Puna e saj bashkon teknikat tradicionale me eksperimentimin bashkëkohor, duke u fokusuar në temat e kujtesës, identitetit dhe transformimit. Ajo ka studiuar Pedagogji të Pikturës në Universitetin e Tetovës dhe ka ndjekur një semestër në Universitetin e Arteve të Bukura në Perugia të Italisë. Në vitin 2021, ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në rezidencën “Echo II” në Sofje, ndërsa ekspozitën e parë personale “Introspective” e hapi në Tetovë në vitin 2022.

Kritiku i artit Shkëlzen Maliqi e ka vlerësuar Llogën si një artiste me stil minimalist, që punon me trupin dhe lëvizjen në mënyrë të butë, por me forcë vizuale të ndjeshme. Ai e ka cilësuar “Lavjerr’S”-in si një ndër hapësirat më interesante të reja në kryeqytet.

Nora Sahatçiu, bashkëdrejtuese e “Lavjerr’S”-it, ka theksuar se bashkëpunimi me Llogën erdhi natyrshëm për shkak të karakterit eksperimental të të dyjave – si ekspozitës, ashtu edhe hapësirës vetë. Sipas saj, ekspozita trajton marrëdhënien mes trupit dhe lëkurës, jo vetëm si mbrojtje fizike, por si përvojë filozofike e jetës dhe emocioneve njerëzore.

Veprat e ekspozuara janë edhe në shitje, ndërsa “Lavjerr’S” synon të shndërrohet në një pikëtakimi për artistët, ku ata mund të krijojnë, të shprehen dhe të ndërveprojnë me publikun.

Ekspozita “How far can we bend before we break” do të qëndrojë e hapur për më shumë se një muaj në kafe-galerinë “Lavjerr’S” në Prishtinë. /Gjurmuesi/

Të ngjashme:

Zbulohen gjurmë të një vendbanimi arkeologjik në zonën e Lushnjës
  • March 10, 2026

Në zonën e quajtur Kodra e Pusit, pranë fshatit Murizë në Peqin, kanë nisur gërmime arkeologjike shpëtimi që po zhvillohen nga arkeologët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim…

Vazhdo lëximin...
Kurti vlerëson kineastet e Kosovës për sukseset në skenën ndërkombëtare
  • March 9, 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur vlerësim për kontributin që gratë kineaste nga Kosova po japin në industrinë e filmit, duke theksuar se puna dhe arritjet e tyre po…

Vazhdo lëximin...

Ke humbur:

Zyrtari i lartë i sigurisë iraniane, Trumpit: Ki kujdes, që të mos eliminohesh!

  • March 10, 2026
Zyrtari i lartë i sigurisë iraniane, Trumpit: Ki kujdes, që të mos eliminohesh!

Rrahje në Stacionin e Autobusëve në Pejë, dy të lënduar dhe katër janë arrestuar nga policia

  • March 10, 2026
Rrahje në Stacionin e Autobusëve në Pejë, dy të lënduar dhe katër janë arrestuar nga policia

Ndërprerje e furnizimit me ujë në disa zona të Gjakovës për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit

  • March 10, 2026
Ndërprerje e furnizimit me ujë në disa zona të Gjakovës për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit

Gjykata Themelore dënon me 52 vjet burgim pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

  • March 10, 2026
Gjykata Themelore dënon me 52 vjet burgim pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Samsung konfirmon Galaxy M17e, zbulohen specifikat dhe çmimi i mundshëm

  • March 10, 2026
Samsung konfirmon Galaxy M17e, zbulohen specifikat dhe çmimi i mundshëm

Zbulohen çiftet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës

  • March 10, 2026
Zbulohen çiftet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës