Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, thotë se tregu i Kosovës është i ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve në nivel ndërkombëtar, si situata aktuale në Iran. Sipas saj, vendosja e marzhës së fitimit për produktet e naftës ka ndihmuar në parandalimin e manipulimit me çmime.
Për Radion Evropa e Lirë, Kusari-Lila sqaroi pse çmimet në disa pika të karburanteve ndryshuan edhe pas vendosjes së këtij mekanizmi. “Ka ndryshim të çmimit sepse marzha është e përcaktuar mbi çmimin e importit dhe nuk është fikse, që të themi çmimi është statik”, tha ajo.
Ministrja shpjegoi se çmimi i naftës dhe i derivateve në pikat e karburanteve ndryshon në varësi të çmimeve të importit, por ndryshimi për konsumatorët nuk mund të jetë më i madh se 12 centë për litër për blerësit me pakicë dhe 2 centë për litër për blerësit me shumicë.
Sa i përket rezervave të naftës, Kusari-Lila theksoi se Kosova është në të njëjtën gjendje si para fillimit të sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Iran dhe nuk ka nevojë për panik nga qytetarët.
Përsa i përket mundësisë së rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, ministrja tha se situata është e menaxhueshme, ndërkohë që po punohet në Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale. Ajo e cilësoi këtë ligj si “masa e parë dhe shumë e nevojshme për t’i mbrojtur qytetarët që janë me pagë minimale apo pjesë të skemave sociale”.
Produktet që mund t’u vendoset çmimi tavan përfshijnë miellin, qumështin, vajin, vezët dhe ushqimet për fëmijë. Megjithatë, ministrja thekson se miratimi i ligjit varet nga funksionaliteti i Kuvendit.
Nëse Ligji për çmimet tavan mbetet pa u miratuar, Kusari-Lila shtoi se Inspektorati i Tregut do të vazhdojë monitorimin e çmimeve në rast abuzimesh nga tregtarët dhe se Qeveria do të punojë për të mbështetur prodhimin vendor që rritja e çmimeve nga jashtë të mos reflektohet tek konsumatori.














