Pas më shumë se dy dekadash në listën e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë, Myrteza Dylhasi është përcjellë sot për në banesën e fundit në qytetin e tij, Gjakovë. Rivarrimi u bë me nderime, pasi identiteti i tij u konfirmua pas një procesi të gjatë kërkimi dhe ekzaminimesh.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se Dylhasi ishte zhdukur më 27 mars 1999 gjatë luftës në Kosovë. Për 27 vite ai figuronte në Listën e Personave të Zhdukur, si pjesë e një grupi prej 11 qytetarësh që u rrëmbyen dhe u zhdukën nga forcat serbe në rastin e njohur si rasti i “Shtëpisë së Familjes Qerkezi”.
Sipas njoftimit, mbetjet mortore të tij u gjetën në lokalitetet përgjatë rrjedhës së lumit Drini i Bardhë. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore, punës së vazhdueshme të ekspertëve dhe analizave të ADN-së, u bë i mundur identifikimi dhe rivarrimi i tij me dinjitet.
Nga i njëjti grup i personave të rrëmbyer, gjashtë persona vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur. Ndërkohë, familja Dylhasi pret ende të mësojë për fatin e Skender Dylhasit, babait të Myrteza Dylhasit.
“Ky rast dëshmon se procesi i kërkimit vazhdon dhe se përkushtimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i palëkundur deri në ndriçimin e fatit të çdo personi të zhdukur. Me këtë rast, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dylhasi dhe nderimin më të thellë për qëndresën e tyre 27 vjeçare në kërkim të së vërtetës”, thuhet në njoftim.
Pas ceremonisë së varrimit, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar duke ndarë dhimbjen me familjen e të ndjerit.
“Sot, me nderime të larta, i dhamë lamtumirën e fundit Myrteza Dylhasit nga Gjakova. Pas më shumë se dy dekadash, ai u kthye për të pushuar në tokën e tij, pranë familjes dhe qytetit të tij. Ndajmë dhimbjen me familjen Dylhasi dhe përulemi me respekt para kujtimit të tij”, ka shkruar Gjini.







