Një restorant në qytetin Yeosu të Koresë së Jugut është vënë në qendër të kritikave pasi ka ndaluar klientët që dëshirojnë të hanë vetëm, duke vendosur një politikë të pazakontë që ka hapur debat të gjerë online.
Përpara hyrjes, lokali kishte një pankartë ku personave që vinin pa shoqëri u jepeshin katër “opsione”:“1. Paguaj për dy porcione, 2. Ha dy porcione, 3. Thirr një shok, 4. Eja më vonë me gruan tënde”.
Njoftimi mbyllej me një mesazh të qartë: “Nuk shesim vetminë. Ju lutemi, mos ejani vetëm.”
Pronari i restorantit e justifikonte këtë qasje me arsye ekonomike, duke theksuar se rritja e kostove të ushqimit, energjisë dhe fuqisë punëtore i ka detyruar të maksimizojnë përdorimin e tavolinave. Sipas tyre, një tavolinë me katër ulëse duhet të shfrytëzohet nga sa më shumë njerëz për të qenë e leverdishme financiarisht.
Por kjo politikë u bë virale dhe mori kundërshtime të shumta në rrjete sociale. Përdoruesit e kritikuan vendimin si diskriminues, sidomos në një kohë kur në Korenë e Jugut numri i familjeve me një person po rritet vazhdimisht. Sipas tyre, restoranti po i mban gjallë stereotipe dhe një mentalitet të tejkaluar. /Gjurmuesi/









