Pronë në kontest: Pretendimet e Preniqit përballë dëshmive të familjes (VIDEO)

Blerësi i shtëpisë së Mehmetëve të Prishtinës, Gani Preniqi, nuk ka pranuar të flasë para kamerës për rastin e pronës në kontest, por përmes avokatit..

Blerësi i shtëpisë së Mehmetëve të Prishtinës, Gani Preniqi, nuk ka pranuar të flasë para kamerës për rastin e pronës në kontest, por përmes avokatit të tij, Dren Hoti, ka dhënë sqarime për Emisionin MAT.

Sipas avokatit, Preniqi është njohur me Agim Mehmetin në vitin 2004 përmes personave të tjerë, të cilët i kishin prezantuar prona në shitje në Prishtinë.

Ai thotë se para blerjes kishte siguruar konfirmim nga Gjykata në Mitrovicë se Selatin Mehmeti e kishte autorizuar Agim Mehmetin për shitjen e pronës.

“Ky dokument ka qenë bazë për bindjen e tij se personi në fjalë kishte të drejtë të ligjshme për të vepruar në këtë transaksion”, thuhet në përgjigjen e avokatit.

Sipas tij, Preniqi vetëm pas nisjes së procedurave ligjore kishte kuptuar se prona mund të ishte objekt kontesti.

“Z. Preniqi ka deklaruar se vetëm pas fillimit të procedurave ligjore ka kuptuar se prona mund të jetë objekt kontesti dhe se mund të ketë probleme lidhur me pronësinë e saj. Ai thekson se në momentin e blerjes nuk ka pasur dijeni dhe as mundësi reale për të ditur për ndonjë parregullsi”, përgjigjet avokati i Gani Preniqit, Dren Hoti.

Nga ana tjetër, vajza e Selatin Mehmetit deklaron se situata nuk ishte siç e kishte paraqitur Gani Preniqi. Sipas saj, ai e dinte që shtëpia që po blinte nuk ishte pronë e Agim Mehmetit. Ajo shton se fqinjët e kishin njoftuar se Preniqi kishte pyetur për të – vajzën e Selatinit – për të marrë informacione rreth pronësisë së shtëpisë.

“Ka thanë unë ta gjej një tokë në Fushë-Kosovë edhe ta maroj një shtëpi. Se ai Gania ndërtesa ndërtojke. Jom shku, po s’kom pas ku me shku, jam tutë atëherë prej Ganisë, se ai më ndiqke gjithkah. Kurgjo s’më ka thanë veç e nijsha që më thojshin kojshia mos hajde, se shpesh po vjen e po thotë a po vjen ajo gruaja prej Gjakovës, edhe jam tutë”, deklaron Adilja për emisionin MAT.

Edhe nipi i Selatin Mehmetit, Erdoan Mehmeti, thotë se Preniqi i kishte propozuar ta shisnin pronën bashkë dhe t’i ndanin paratë.

“Kërkojke njëherë me shitë na shtëpinë përbashkët edhe me i nda paret”, deklaron ai.

Erdoani thotë se e kishte refuzuar ofertën, duke insistuar se prona u takon trashëgimtarëve të familjes.

“Unë i thash edhe nëse e shes shtëpinë, i ndaj paret me djemtë e axhës tem e jo me ty. Është trashëgimi dmth e katërgjyshit tem”, deklaron Erdoani, nipi i Selatin Mehmetit.

About the Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *