Me hyrjen në fazën përfundimtare të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, procesi ka marrë një kthesë vendimtare. Në nisje të fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur kërkesën për dënime të rënda, ndërsa monitoruesit e procesit kanë theksuar rëndësinë e analizës individuale të provave dhe zbatimit korrekt të ligjit.
Prokuroria ka kërkuar që secili nga të akuzuarit të dënohet me nga 45 vjet burg, kërkesë që u përmend në pjesën hyrëse të fjalës përfundimtare. Procedura parasheh që fillimisht të paraqesë argumentet Prokuroria, më pas pala e dëmtuar dhe në fund mbrojtja.
Avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) ka sqaruar se Prokurorja Speciale, në fillim të paraqitjes, ka dhënë një përmbledhje të argumenteve që do të shpalosen gjatë orëve të fjalëve përfundimtare, duke përfshirë edhe kërkesën për dënim maksimal për secilin të akuzuar.
“Po, siç e dini, sot kanë filluar fjalët përfundimtare të palëve në procedurë dhe, siç e kërkon procedura, fillohet me paraqitjen e fjalëve fillimisht nga Prokuroria, pala e dëmtuar dhe pastaj nga mbrojtja. Në fjalën hyrëse, në fjalën përfundimtare apo në pjesën e parë të kësaj fjale, Prokurorja Speciale e ka bërë një përmbledhje të shkurtër se çka do të pasqyrojnë dhe prezantojnë prokurorët në, gjatë këtyre orëve të parashtrimit të fjalës përfundimtare. Dhe në mesin e informatave, ajo e ka cekur se ka kërkuar që secili të dënohet nga 45 vite, s’paku ashtu është përkthyer në gjuhën shqipe, dhe sigurisht që Prokuroria pretendon dhe këmbëngul që t’i mbron akuzat me të cilat i ka ngarkuar katër të pandehurit”, tha Alija.
Ai theksoi se në rast se Gjykata konstaton fajësi, ajo ka obligim të zbatojë parimin “Lex Mitior”, që nënkupton aplikimin e ligjit më të favorshëm për të akuzuarit në momentin e shqiptimit të dënimit, duke marrë parasysh edhe praktikën ndëshkimore për krimet e luftës.
Sipas Alijës, praktika gjyqësore për krime lufte ka qenë e ndryshme mes gjykatave vendore dhe Tribunalit të Hagës. Në Kosovë, dënimet kanë qenë nga pesë deri në 15 vjet burgim, ndërsa në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kanë lëvizur nga 14 deri në 22 vjet, kryesisht për eprorë të forcave serbe. Ai shtoi se ligji i RSFJ-së, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, konsiderohet më i favorshëm sa i përket dënimeve.
“Po në rast se gjykata do të gjen provat fajësuese, me të cilat i ngarkon Zyra e Prokurorisë, sigurisht që gjykata e ka për obligim që ta aplikon parimin Lex Mitior, pra ligjin më të favorshëm me rastin e aplikimit të, e aplikimit të dënimit. Po ashtu, gjykata duhet ta ketë parasysh edhe praktikën ndëshkimore për këto vepra penale. Pra, lidhur me krimet e luftës, deri më tani janë krijuar dy praktika; pra e kemi praktikën nga gjykatat vendore, të cilën e zbatojnë gjykatat nacionale, po ashtu edhe kemi praktikën ndëshkimore të TPNJ-së (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë). Për veprat penale të cilat ndërlidhen, me krimet e luftës, dhe personat të cilët janë gjykuar për këto vepra penale qoftë pranë gjykatave vendore apo pranë Tribunalit të Hagës, politika ndëshkimore ka shkuar në gjykatat vendore prej 5 deri në 15 vite burgim; te Tribunali i Hagës politika ndëshkimore ka shkuar prej 14 vite deri në 22 vite, ku kryesisht eprorët apo përgjegjësit të forcave serbe janë dënuar me këto, me kaq vite burgim. Tani sigurisht që ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë ligji i RSFJ-së, i cili është ligji më i favorshëm me rastin e aplikimit të dënimeve për personat të cilët gjykohen për këto vepra penale”, tha ai.
Avokati Alija vlerësoi gjithashtu se procesi është zhvilluar nën masa të larta mbrojtjeje për dëshmitarët e Prokurorisë, me një pjesë të konsiderueshme të seancave të redaktuara për publikun, gjë që ka vështirësuar monitorimin e plotë nga mediat dhe organizatat vëzhguese.
Ai shtoi se mungesa e qasjes së plotë në shkresat e lëndës kufizon aftësinë e monitoruesve dhe publikut për të vlerësuar provat, duke nënvizuar se vetëm trupi gjykues, pas analizimit të secilës dëshmi dhe prove, mund të marrë një vendim meritor.
“Po ne siç e kemi parë, ky proces gjyqësor, sidomos dëshmitarët e Prokurorisë, gati në 50% të dëshmitarëve kanë qenë të mbrojtur për publikun dhe seancat kanë qenë në një përqindje të madhe të redaktuara për publikun. Sigurisht që ka qenë, vështirësi edhe për monitoruesit, por edhe për mediat që t’i monitorojnë prej fillimit deri në fund pa pengesa këto procese gjyqësore. Sigurisht që ne, si monitorues, opinioni kemi kufizime në prova, kemi kufizime në, vlerësimin e provave dhe sigurisht që lidhur me këtë trupi gjykues, pas analizimit të secilës provë veç e veç, të secilës dëshmi veç e veç, do të merr një vendim meritor. Sigurisht që për neve të cilët nuk kemi qasje të plotë në shkresat e lëndës, nuk është profesionale që të lëshohemi në vendimet gjyqësore”, tha Alija.
Ndërkohë, kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, i kërkoi trupit gjykues dënim individual prej 45 vjetësh burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke theksuar se bëhet fjalë për përgjegjësi personale dhe jo kolektive.
“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha West.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, po gjykohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale që lidhet me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës së publikuar në shkurt të vitit 2023, ata akuzohen për rreth 100 vrasje, si dhe për tortura dhe trajtim mizor në afërsisht 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998–1999.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ndërmarrja e përbashkët kriminale përfshin gjashtë akuza për krime lufte, përfshirë përndjekjen, burgosjen, torturën, vrasjen e paligjshme dhe zhdukjen me dhunë, si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit. Sipas ZPS-së, shumica e viktimave kanë qenë civilë shqiptarë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave udhëheqëse në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, kanë qenë ose është dashur të jenë në dijeni për krimet e kryera dhe se qëllimi i tyre ishte marrja e pushtetit në Kosovë.
Nga ana tjetër, ish-drejtuesit e UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një hierarki të tillë komanduese, se përgjegjësitë i kishin komandantët e zonave dhe se lufta e saj kishte për qëllim përballjen me Serbinë, e jo sulmin ndaj civilëve.







