Gjatë festave të fundvitit, qyteti i Prizrenit është mbushur me atmosferë festive dhe vizitorë nga e gjithë bota. Edhe pse temperaturat janë të ulëta, turizmi në qytet po vazhdon të jetë aktiv, duke e bërë Prizrenin një destinacion tërheqës jo vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit. Gastronomët vendas e konsiderojnë vitin 2025 si të suksesshëm, pasi qyteti ka pritur edhe shumë vizitorë të rinj.
Pasi qyteti është zbukuruar për festat, vizitorët shijojnë jo vetëm pamjet, por edhe ofertën gastronomike. Turistët vlerësojnë ushqimin lokal dhe shërbimin, duke përfshirë edhe specialitete të njohura si qebapat.
“Ne po vijmë nga Stambolli në Kosovë kemi vizituar Prishtinën për festat e fundvitit dhe tash kemi ardhur në Prizren dhe këtu do të qëndrojmë pak dhe do të kthehemi ne Stamboll. Ushqimi i mirë, qoftet janë të shijshme, është një kulturë e ushqimit e ngjashme me atë tonin, gjithçka duket e bukur”, tha Nagia Pekin, turiste nga Turqia.
Ilir Shala nga shoqata e gastronomëve thekson se çmimet janë të arsyeshme dhe vizitorët nuk i konsiderojnë të shtrenjta për atë që ofrohet. “Ndoshta është edhe një target, kur flasim ne krahas çmimeve që janë në vendin tonë dhe në vendet e tjera, edhe pse ka pas propogandim shumë të madh se jemi shumë të shtrenjtë, por përkundrazi, për vendin dhe atë që ofron gastronomia jonë, mendoj se e arsyeton edhe çmimin edhe shërbimin”, tha ai.
Gjatë vitit, Prizreni ka pritur vizitorë nga Lindja e Largët, Amerika, vendet evropiane dhe Ballkani, duke e bërë qytetin një destinacion të njohur për të gjitha stinët. Përveç sfidave të përballuara nga gastronomët, si mungesa e punëtorëve, ardhja e mërgatës dhe turistëve për festat e fundvitit pritet të gjallërojë qytetin dhe të forcojë më tej turizmin. /Gjurmuesi/







