Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Posta e Kosovës ka lansuar një emision të ri pullash postare, të dedikuar dy figurave të rëndësishme të letërsisë shqipe për fëmijë: Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani. Këto pulla vijnë si një nderim për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në kulturë dhe krijimtarinë artistike për fëmijët.
Rifat Kukaj, i lindur më 25 tetor 1938 në Tërstenik të Drenasit, kreu arsimin fillor e të mesëm në Drenicë dhe studimet e larta në Prishtinë. Ai punoi si mësues e drejtor në vendlindje, ndërsa pas vitit 1963 u vendos në Prishtinë ku u angazhua në Radio dhe në “Rilindja”. Kukaj ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë për fëmijë, por veprimtaria e tij përfshinte edhe poezinë, dramaturgjinë, skenarin dhe përkthimin. Vargjet e tij mbartin emocione të thella dhe pasqyrojnë sfidat e jetës, si dhe dashurinë për atdheun dhe për jetën.
Ymer Elshani, i lindur më 14 qershor 1948 në Korroticë të Ulët të Drenasit, pasi përfundoi shkollimin fillor e të mesëm, vijoi Shkollën Normale, Fakultetin Filozofik dhe më pas magjistraturën në Prishtinë. Ai punoi si arsimtar i gjuhës shqipe në Komoran, më vonë profesor dhe pastaj drejtor në Gjimnazin “Skënderbeu” në Drenas. Elshani zhvilloi krijimtari të gjerë si poet, prozator dhe kritik letrar, duke botuar dhjetëra libra, shumë prej të cilëve të dedikuar fëmijëve.
Gjatë luftës së vitit 1999, Ymer Elshani dhe familja e tij ranë martirë. Pas përfundimit të luftës, 11 vëllime të mbetura në dorëshkrim u botuan nga vajza e tij, Teuta Elshani, e vetmja e mbijetuar e familjes. /Gjurmuesi/









