Policia gjermane ka arrestuar një person të dyshuar si anëtar i organizatës Hamas, i cili dyshohet se kishte siguruar armë dhe municione me qëllim përgatitjen e sulmeve ndaj objektivave hebraike në territorin gjerman.
Sipas hetimeve, i arrestuari, i identifikuar si Borhan El-K, me origjinë nga Libani, u ndalua nga autoritetet gjermane në autostradë pasi kishte hyrë në vend nga Republika Çeke, të martën në mbrëmje. Prokuroria Federale e Gjermanisë ka deklaruar se në muajin gusht, El-K kishte siguruar një sasi të konsiderueshme armësh – përfshirë një pushkë automatike, tetë pistoleta dhe mbi 600 fishekë – të cilat më pas dyshohet se ia kishte dorëzuar një anëtari tjetër të Hamasit në Berlin.
Ky i fundit, i identifikuar si Wael FM, ishte arrestuar më 1 tetor, së bashku me dy persona të tjerë, Adeb Al G dhe Ahmad I. Për shkak të ligjeve gjermane mbi privatësinë, autoritetet nuk kanë bërë publike emrat e plotë të të dyshuarve.
Të gjithë personat e përfshirë akuzohen për përgatitjen e një akti të rëndë dhune që rrezikon sigurinë kombëtare të Gjermanisë dhe për anëtarësim në një organizatë terroriste të huaj. Sipas hetuesve, grupi dyshohet se kishte filluar të siguronte furnizime dhe logjistikë që nga vera e këtij viti, me qëllim kryerjen e sulmeve të planifikuara. /Gjurmuesi/







