Sot përkujtohet lindja e Elena Gjikës, e njohur në historinë evropiane me emrin Dora d’Istria, një personalitet i shquar i mendimit, letërsisë dhe angazhimit shoqëror shqiptar të shekullit XIX.
E lindur në Bukuresht në vitin 1828, nga një familje me origjinë shqiptare, Elena Gjika u formua akademikisht në disa prej qendrave më të rëndësishme evropiane. Ajo studioi në Dresden, Vjenë, Itali dhe Berlin, ku përfundoi studimet në letërsinë e vjetër greke.
Pas kthimit në vendlindje, ajo u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski dhe për disa vite jetoi në Shën Petërsburg. Kjo periudhë u shoqërua me vështirësi, kryesisht për shkak të dallimeve kulturore dhe bindjeve të ndryshme nacionaliste. Më pas, gjatë udhëtimeve në Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali, Elena nisi të botojë veprat e saj dhe u afirmua si publiciste dhe shkrimtare nën pseudonimin Dora d’Istria.
Në vitin 1860, Elena Gjika u bë gruaja e parë që u ngjit në Mont Blanc, duke hyrë në histori edhe përtej fushës letrare. Ajo u njoh në mbarë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore dhe studiuese. Shkroi në gjashtë gjuhë dhe trajtoi tema që lidhen me emancipimin e grave, shkencën, fenë, politikën dhe kulturën. Ndër veprat e saj më të njohura janë “Gratë e Orientit” (Paris, 1860) dhe “La Suisse allemande” (Gjenevë, 1856).
Si një nga pionieret e çështjes shqiptare në Evropën Perëndimore, Elena Gjika luajti rol të rëndësishëm në promovimin e historisë dhe kulturës shqiptare. Ajo mbajti kontakte të ngushta me rilindës dhe veprimtarë të njohur si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda dhe Zef Jubani, si dhe botoi studime të rëndësishme, përfshirë:
“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (1866)
“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore” (1867)
“Shqiptarët në Rumani” (1873)
Për kontributin e saj në afirmimin e çështjes shqiptare, figura e Dora d’Istrias u nderua me vepra të dedikuara nga patriotë rilindës dhe komunitete arbëreshe.
Elena Gjika ndërroi jetë më 17 nëntor 1888 në Firence, në moshën 60-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe intelektuale që vazhdon të frymëzojë edhe sot.









