Ka përfunduar rrënimi i shtëpisë katërkatëshe në Rrugën A në Prishtinë, e cila për rreth dy vite kishte pësuar dëmtime dhe kishte nisur të shembej si pasojë e punimeve në këtë segment rrugor.
Gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda, ka raportuar nga vendi i ngjarjes se rrënimi përfundoi pas ndërhyrjes së sotme të ekipeve përgjegjëse. Sipas saj, dy ditë më parë në këtë lokacion kishte qenë Inspektorati për të realizuar rrënimin, por pronari i shtëpisë kishte kundërshtuar dhe kishte qëndruar brenda objektit, duke pamundësuar zhvillimin e aksionit.
“Para pak minutash përfundoi rrënimi krejtësisht i shtëpisë 4 katërshe në rrugën A, e cila para 2 viteve kishte filluar të shembej si pasojë e punimeve në këtë segment rrugor. Para dy dite në vendin e ngjarjes ishte edhe Inspektorati për ta rrënuar, por pronari qëndronte në shtëpi duke e pamundësuar shembjen, dhe kjo bëri që inspektorët të largoheshin dhe të ktheheshin sot”.
Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, objekti ishte ndërtuar në pronë komunale dhe për këtë arsye ishte kërkuar lirimi i saj.
Familjarët që jetonin në këtë shtëpi ishin evakuuar rreth dy vite më parë, ndërsa Komuna e Prishtinës kishte mbuluar shpenzimet e qirasë për strehimin e tyre gjatë kësaj periudhe, raporton Klankosova.tv.
Gazetarja Hoda po ashtu bëri të ditur se të afërmit e pronarit kanë shprehur pakënaqësi dhe revoltë ndaj rrënimit të objektit, duke pretenduar se prona u përkiste atyre.
“Të afërmit e pronarit ishin shumë të nervozuar dhe të revoltuar për rrënimin e kësaj shtëpie. Ata këmbëngulën që prona u përkiste atyre”, shtoi gazetarja Hoda














