Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes është zhvilluar ceremonia e mbylljes së Kursit për Rreshtermajor të Gjeneratës 03-2026, një program i avancuar i përgatitjes profesionale për nënoficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ky kurs synon të zhvillojë aftësitë e kursantëve për të marrë përgjegjësi më të larta brenda strukturës së lidershipit të trupës së nënoficerëve.
“Kursantët kanë kaluar nëpër një program të strukturuar arsimor dhe profesional, i cili është realizuar përmes Modulit të Studimeve Profesionale, Modulit të Udhëheqjes, Modulit të Menaxhimit të Forcës, si dhe Modulit të Operacioneve Ushtarake dhe Operacioneve të Përbashkëta Ndërinstitucionale”, tha FSK-ja.
Sipas Forcës, gjatë këtij programi kursantët kanë zgjeruar njohuritë profesionale, kanë zhvilluar më tej aftësitë e lidershipit dhe janë përgatitur për të mbështetur komandantët në proceset e planifikimit, menaxhimit dhe zbatimit të detyrave brenda strukturës së FSK-së.
Përfundimi me sukses i kursit për Gjeneratën 03-2026 konsiderohet një hap i rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve, të cilët pritet të kontribuojnë në forcimin e trupës së nënoficerëve, ngritjen e standardeve profesionale dhe avancimin e kapaciteteve institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.







