Ministri shqiptar i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj, ka thënë se deklarata e komunës së Zetës për “çnjohjen” e Kosovës, është pamflet politik, pasi sipas tij, vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet në këtë shtet.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, ai ka thënë se deklarata të tilla mund të nxirren edhe në të ardhmen, por që ato nuk do të mund të kenë asnjë ndikim.
Teksa, Dukaj ka thënë se raportet e Kosovës dhe Malit të Zi nuk kanë ndryshuar, e as nuk pritet të ndryshojnë.
“Kjo është mund ta quaj me gjuhën politike një pamfet politik se do të kemi zgjedhjet vitin tjetër dhe fushata vetëm se ka filluar dhe natyrisht se raportet e Malit të Zi me Kosovën nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë, si dhe këtë nuk do ta lejojmë përderisa ne jemi pjesë e qeverisë. Këtë e kemi dëshmuar si shqiptarë edhe me emërimin e ambasadorit fuqiplotë të Malit të Zi në Kosovë që për një kohë të gjatë nuk ka qenë. Pra, ne me punë dhe me argumente po dëshmojmë se raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës nuk kanë ndryshuar”, ka thënë Dukaj.














