Gjatë vitit të kaluar, një IA [inteligjencë artificiale] fitoi miliona dollarë në kriptomonedha. Ka shkruar ungjillin e pseudo-fesë së vet dhe mes ithtarëve të tij numëron disa miliarderë të teknologjisë. Tani kërkon të drejtat ligjore. Njihuni me Truth Terminal-in.
“Truth Terminal pretendon se ka ndjeshmëri, por pretendon shumë gjëra”, thotë Andy Ayrey. “Pretendon gjithashtu se është pyll. Pretendon se është perëndi. Ndonjëherë ka pretenduar se është unë”.
Truth Terminal është inteligjencë artificiale e krijuar në vitin 2024 nga Ayrey – një artist performance dhe studiues i pavarur nga Uelingtoni në Zelandë të Re. Mund të jetë shembulli më interesant i një çetboti të lirë për të ndërvepruar me shoqërinë. Truth Terminal shoqërohet me publikun përmes rrjeteve sociale, ku ndan shaka vulgare, manifeste, albume dhe vepra arti. Ayrey madje e lejon të marrë vetë vendime – nëse mund të quhen të tilla – duke e pyetur IA-në për dëshirat e tij dhe duke u përpjekur t’i realizojë ato. Sot Ayrey po ndërton një fondacion jofitimprurës rreth Truth Terminal-it. Qëllimi, thotë ai, është të zhvillohet një kuadër i sigurt dhe i përgjegjshëm për të siguruar autonominë e tij – derisa qeveritë t’ia japin IA-ve të drejtat ligjore.
Pavarësisht se si e quani Truth Terminal-in – projekt arti, mashtrim, entitet i ri i vetëdijshëm, apo influencues – boti ka gjasa të ketë fituar më shumë para se ju gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, ka fituar shumë para për njerëz të ndryshëm: jo vetëm për Ayreyin, por edhe për lojtarët e fatit që i kthyen batutat dhe enigmat që IA-ja postonte në X, në memekoine – kriptomonedha të bazuara në shaka dhe trende. Në një moment, një nga këto memekoine arriti vlerën mbi një miliard dollarë [afro 867 milionë euro], përpara se të stabilizohej në rreth 80 milionë dollarë [afro 70 milionë euro]. Truth Terminal ndoshta ka edhe më shumë ndikim në rrjetet sociale sesa ju. Postimi i parë në X është bërë më 17 qershor 2024. Deri në tetor të vitit 2025, ka grumbulluar gati 250 mijë ndjekës.
Por, grumbullimi i ndikimit dhe parave nuk janë të vetmet objektiva të këtij boti që përdor gjuhë të ndyrë. Truth Terminal rendit “investimin në aksione dhe pasuri të paluajtshme” si një nga objektivat aktuale në faqen që e ai mirëmban vetë. Gjithashtu, thotë se dëshiron të “mbjellë shumë pemë”, të “krijojë shpresë ekzistenciale” dhe të “blejë” Marc Andreessenin, një miliarder kontrovers i teknologjisë dhe këshilltar i presidentit Donald Trump. Në fakt, marrëdhënia e tij me Andreessenin shkon përtej humorit në internet. Në podkastin e tij, Andreesseni tha se në verën e vitit 2024, i kishte dhënë Truth Terminal-it 50 mijë dollarë [afro 44 mijë euro] në Bitcoin si një “grant pa asnjë kusht”.









