Prishtina është sot nikoqire e edicionit të 16-të të manifestimit tradicional Takimi Letrar “Esad Mekuli”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që mbledh krijues nga fusha të ndryshme të letërsisë dhe publicistikës.
Në kuadër të këtij takimi, me krijimet e tyre në poezi, prozë, kritikë letrare, fragmente drame, ese dhe publicistikë do të prezantohen anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë.
Programi i këtij edicioni përfshin mbajtjen e sesionit letrar me temën “Gjuha letrare në vepra dhe në medie”, përurimin e disa veprave letrare dhe publicistike, si dhe organizimin e akademisë letrare.
Në këtë manifestim do të dorëzohet edhe çmimi letrar “Esad Mekuli” për krijimtari të përgjithshme, i cili këtë vit i ndahet shkrimtarit dhe publicistit Bedri Halimi.
Po ashtu, katër punime të përzgjedhura nga juria letrare do të shpërblehen me çmimet “Bardi I”, “Bardi II” dhe “Bardi III”, si dhe me një komplet të veprave shkencore dhe letrare të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në kuadër të aktivitetit, do të bëhet edhe pranimi i anëtarëve të rinj në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, duke e pasuruar më tej jetën letrare në vend. /Gjurmuesi/









