Një tërmet me intensitet të lehtë është regjistruar sot në Kosovë, duke u ndier kryesisht në pjesën juglindore të vendit, pa shkaktuar rrezik për qytetarët apo dëme materiale.
Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, ka bërë të ditur se lëkundjet janë ndjerë më së shumti në rajonin Viti–Gjilan, përkatësisht në afërsi të Kllokotit. Sipas tij, tërmeti kishte magnitudë 3.2 sipas shkallës Rihter, ndërsa intensiteti i tij ishte IV–V ballë të shkallës së Merkalit.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Instituti Sizmologjik i Kosovës, thellësia hipoqendrore e tërmetit ishte rreth 7 kilometra.
Mustafa ka theksuar se ngjarje të tilla sizmike janë tregues i aktivitetit të zonës sizmogjene Ferizaj–Viti–Gjilan, e cila konsiderohet zonë aktive edhe sipas studimeve dhe llogaritjeve të përfshira në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Juglindje të Kosovës. Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikon qytetaret apo ndonjë dëm material për shkak të forcës se ulët, njëherësh këto termete dëshmojnë për zonën sizmogjene të Ferizaj-Viti-Gjilan, që është zonë aktive, ashtu edhe sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij zyrtar në Facebook.







