Teksa moti ekstrem me temperatura të ulëta, erëra të forta dhe reshje dëbore po përfshin Britaninë e Madhe, gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë destinacione të ngrohta për pushime jashtë vendit. Në këtë kontekst, një destinacion evropian ende i nënvlerësuar po tërheq vëmendjen për çmimet e ulëta dhe klimën mesdhetare.
Bëhet fjalë për Shqipërinë, e cila rekomandohet edhe nga eksperti i njohur i udhëtimeve Simon Calder, si një zgjedhje ideale për pushime ekonomike. Sipas tij, vendi ofron temperatura rreth 28 gradë Celsius në prill dhe deri në 40 gradë Celsius gjatë korrikut, duke e bërë një alternativë shumë më të lirë krahasuar me destinacionet klasike evropiane.
Kostot e jetesës janë të krahasueshme me ato që Britania e Madhe kishte në vitet ’90. Sipas kalkulatorit të kostos së jetesës “Numbeo”, një birrë kushton rreth 2,20 paund, ndërsa një kafe vetëm 1,50 paund. Edhe akomodimi mbetet i përballueshëm, pasi sipas BudgetYourTrip, çmimi mesatar për një natë në hotel është rreth 49 paund.
Simon Calder ka shprehur publikisht vlerësimin e tij për Shqipërinë. Ai foli në emisionin ”This Morning” të ITV-së në shtator 2024 për qytetin e Durrësit, të cilin e cilësoi si ”një nga qytetet më historike dhe më të bukura të Shqipërisë”.
Ai u ndal edhe te çmimet e ulëta, duke përmendur se kishte paguar rreth 6,0 paund për një picë dhe një birrë. Calder tregoi gjithashtu se udhëtimi prej rreth 35 kilometrash nga aeroporti deri në hotel do t’i kishte kushtuar vetëm disa paund, nëse nuk do ta kishte humbur autobusin e fundit.
Për vizitorët e apasionuar pas historisë, Durrësi ofron atraksione të rëndësishme, përfshirë amfiteatrin romak me mozaikë ende të ruajtur, që konsiderohet një nga më mbresëlënësit në rajon.
Nga ana tjetër, Shqipëria po krahasohet gjithnjë e më shpesh me Greqinë për bukuritë natyrore, por pa çmimet e larta. Ujërat e kristalta dhe bregdeti i mrekullueshëm kanë tërhequr vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë, ndërsa zona si Ksamil janë bërë virale në rrjetet sociale.
Megjithëse popullariteti i vendit është në rritje, shumë udhëtarë në Reddit theksojnë se Shqipëria mbetet ende e nënvlerësuar. Ata vlerësojnë peizazhet mahnitëse, udhëtimet e përballueshme dhe mikpritjen e jashtëzakonshme të banorëve vendas.
Duhet pasur parasysh se një pjesë e plazheve janë private dhe të lidhura me bare apo restorante, çka nënkupton pagesë për qëndrimin ditor. Megjithatë, pasi të sistemoheni, mund të shijoni notin në ujërat e qeta dhe blu të thellë.
Përveç bregdetit, Shqipëria është kthyer edhe në një destinacion të preferuar për ecje malore. Alpet Shqiptare ofrojnë maja mbresëlënëse, bujtina tradicionale në fshatra të largëta dhe ujëvara piktoreske, duke e bërë vendin tërheqës për adhuruesit e natyrës dhe aventurës.









