Udhëtarët që po mendojnë të eksplorojnë Evropën në vitin 2026 këshillohen të shohin përtej destinacioneve klasike dhe të zbulojnë vende ende autentike. Në këtë listë sugjerimesh, Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shpesh si një zgjedhje e mençur dhe me vlerë të lartë për turistët ndërkombëtarë.
Në një artikull të publikuar nga faqja australiane e udhëtimeve Travel Nine, autori John Walsh e veçon Shqipërinë si një alternativë ideale për ata që kërkojnë përvoja të reja në Evropë. ”Sigurisht, nëse është hera juaj e parë në Evropë, ju do të dëshironit të shihnit Kullën Eiffel apo Koloseun, por këshilla jonë do të ishte të kërkoni disa destinacione të reja dhe ka disa të shkëlqyera që ofrohen, mes tyre Shqipëria.”
Sipas shkrimit, Shqipëria mbetet ende një vend relativisht i pazbuluar për shumicën e turistëve ndërkombëtarë, çka e bën edhe më tërheqëse për ata që shmangin turizmin masiv. Një sondazh i realizuar në vitin 2024 tregoi se vendi shënoi rritjen e tretë më të lartë të turizmit në nivel global dhe rritjen më të madhe në Evropë.
Në popullaritetin në rritje të Shqipërisë besohet se ka ndikuar edhe fama ndërkombëtare e këngëtares Dua Lipa. Artistja me prejardhje shqiptare mori nënshtetësinë shqiptare në vitin 2022, si vlerësim për promovimin e vendit përmes muzikës dhe rrjeteve sociale.
Artikulli thekson gjithashtu se Shqipëria po ndërton një reputacion të fortë për plazhet e saj të pastra dhe natyrën mbresëlënëse, të cilat shpesh krahasohen me ato të Greqisë dhe Italisë. Qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërsa Parku Kombëtar i Thethit ofron mundësi ecjeje dhe eksplorimi në natyrë të nivelit botëror.
“Nxitja më e madhe janë çmimet e ulëta për akomodim dhe ushqim”, shkruan Travel Nine, duke e renditur Shqipërinë si një nga destinacionet më të përballueshme dhe më interesante për udhëtarët evropianë të viteve në vijim.









