Në moshën kur shumë të rinj janë ende në kërkim të rrugës së tyre, Lara Colturi ka hyrë tashmë në histori. Vetëm 19 vjeçe, ajo është shndërruar në medalisten e parë olimpike dimërore të Shqipërisë, duke hapur një kapitull krejt të ri për sportin shqiptar.
Me përkushtim të jashtëzakonshëm, disiplinë dhe dashuri për skijimin alpin, Lara ka ndërtuar një rrugëtim që po frymëzon të rinjtë dhe po e vendos Shqipërinë në hartën e sporteve dimërore.
Lara Colturi është vetëm 19 vjeç, por ka arritur të bëjë histori olimpike duke u bërë medalistja e parë olimpike dimërore e Shqipërisë.
“Është një jetë e vështirë, por unë e dua”, thotë ajo, duke treguar përkushtimin e saj të hershëm ndaj sportit.
“Shkoja në shkollë dhe më pas bëja patinazh në akull për dy orë, pastaj ski pasdite, kthehesha në shtëpi, bëja detyrat, haja dhe pastaj gjithçka fillonte nga e para”, tregon ajo, duke shtuar se ishte vetëm dhjetë vjeçe kur nisi këtë ritëm intensiv.
Skijimi, sipas saj, ka qenë gjithmonë prioritet absolut. “Për mua ishte kaq argëtuese, sepse nëse nuk bëja diçka, mërzitesha,” thotë Lara.
Që në moshë të vogël, ajo është fokusuar në ndërtimin e një mentaliteti fitues, duke praktikuar ushtrime frymëmarrjeje për të ruajtur përqendrimin. Sot, ky përkushtim e ka renditur ndër skiatorët më të mirë të sllallomit në botë.
Në prag të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina në Itali, Lara ka mundësinë të shkruajë sërish histori për Shqipërinë, e cila medaljet e para olimpike verore i fitoi vetëm në Paris 2024.
Arritjet e saj janë konsideruar fenomenale për një vend me rreth tre milionë banorë. Alesia Burnazi nga transmetuesi publik shqiptar vlerëson ndikimin e saj të jashtëzakonshëm.
“Ajo jo vetëm që po i bën vajzat e reja të ëndërrojnë, por po bën që e gjithë popullsia të mbështesë dhe të mësojë më shumë për sportet e skive”, tha ajo.
Sipas saj, suksesi i Larës është edhe më domethënës për faktin se Shqipëria nuk ka vendpushime skish të zhvilluara.
Vetë Lara shprehet e kënaqur që po e promovon skijimin në Shqipëri, ndonëse kjo e surprizon disi.
“Shqipëria nuk e dinte çfarë ishte skijimi alpin deri tani. Dhe tani jam si një person i famshëm atje. Është si: ‘Uau, prit një moment. Unë jam thjesht një skiator alpin’”, tha ajo.
Falë suksesit të saj, skijimi në Shqipëri ka nisur të marrë hov.
“Unë nuk po bëj gjëra vërtet të mëdha, por për ta është diçka e jashtëzakonshme. Ata kanë disa kodra të vogla dhe po argëtohen shumë duke bërë pak ski. Pra, po, është thjesht mahnitëse,” përfundon Lara.








