Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duke caktuar Qendrat dhe vendvotimet për këtë proces.
Votimi jashtë Kosovës do të zhvillohet më 27 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend, më 28 dhjetor. Sipas vendimit të KQZ-së, do të funksionojnë 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime në 36 shtete të botës.
Përveç përfaqësive diplomatike, Qendrat e Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Këto përfshijnë 10 Qendra shtesë (Gjermani 5; Zvicër 3; Mbretëri e Bashkuar 1; ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe një kapacitet maksimal prej 40,850 votuesish.
Në total, numri i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës është 60, me gjithsej 109 vendvotime, ndërsa numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim në këto qendra është 103,550. KQZ sqaron se kufizimi i votuesve vlen vetëm për vendvotimet në përfaqësi diplomatike, ndërsa votimi përmes postës mbetet pa kufi.
Periudha e regjistrimit për qytetarët jashtë vendit ka filluar më 26 nëntor dhe do të përfundojë më 6 dhjetor 2025. /Gjurmuesi/







