Prania e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë mbetet e domosdoshme për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në rajon. Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës së vitit 1999, Jamie Shea, vlerëson se misioni i KFOR-it duhet të vazhdojë deri në momentin kur Kosova të bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike.
Ai thekson se tensionet e vazhdueshme dhe veprimet e Serbisë janë ndër arsyet kryesore pse ky mision nuk duhet të tërhiqet nga vendi.
“KFOR-i është i nevojshëm akoma .Sepse kemi ende tensione në Kosovë. Kishim rastin e incidentit në Banjskë para tri viteve dhe e kemi Serbinë që kohë pas kohe po bënë zhurma kërcënuese duke vendosur trupa ushtarake në kufij me Kosovën , kështu që ende na duhet KFOR-i aty”, ka thënë Shea.
“Kjo që të sigurojë jo vetëm kosovarët por edhe pakicën serbe në veri sepse kjo forcë paqeruajtëse mbron të gjithë. Kam përshtypjen se ne mund të rregullojmë nivelin e forcave sipas situatës së sigurisë”.
Ai shton se qëndrimi i trupave të KFOR-it deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO do të siguronte një tranzicion më të lehtë dhe më të qëndrueshëm.
“Por trupat e KFOR-it duhet të mbeten në Kosovë deri në ditën kur Kosova anëtarësohet në Aleancën Veri Atlantike, NATO. Kjo do të sillte deri te tranzicioni më i butë . Dhe sa kohë që KFOR-i është aty, Kosova është në radarin e NATO-s , që unë mendoj është e rëndësishme për Kosovën që të marrë vëmendjen e kërkuar nga Brukseli”.
Sipas tij, prania e KFOR-it ka rëndësi edhe për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e ndihmuar atë të afrohet me standardet e NATO-s.
“Prania e KFOR-it në Kosovë i ofron Forcës së Sigurisë së Kosovës mundësi të vlefshme për trajnime, për stërvitje dhe që të arrihet përshtatshmëria aftësuese me NATO.Kjo i bie sikur dikush që është lojtar tenisi dhe ka një trajner të këtij sporti i cili jeton pranë teje. Kjo do ta përshpejtoj integrimin e Kosovës në NATO, gjë të cilën unë e mirëpres”.
Në fund, Shea thekson se ky mision nuk paraqet barrë të madhe për NATO-n dhe ka dhënë rezultate konkrete në ruajtjen e stabilitetit në rajon.
“KFOR-i është një detyrë që nuk është e vështirë për NATO-n ta mbaj , në kuptimin e numrit të trupave , harxhimeve, sepse ky Mision ka bërë punë të shkëlqyeshme për ta ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Disa elemente të këtij misionin pra duhet të qëndrojnë derisa Kosova hyn në NATO.














