Dhuna në familje vazhdon të mbetet një problem serioz në Kosovë, duke prekur çdo vit mijëra qytetarë, përfshirë edhe fëmijë. Pavarësisht thirrjeve për solidaritet dhe kujdes, realiteti brenda shumë familjeve tregon një situatë shqetësuese që kërkon reagim më të fortë institucional dhe shoqëror.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 2 mijë e 836 persona kanë raportuar dhunë në familje gjatë vitit të kaluar, ndërsa 216 prej viktimave ishin fëmijë nën moshën 18-vjeçare vetëm gjatë vitit 2025.
Ngjarjet e fundit, përfshirë rastin në Lipjan ku një 5-vjeçar u keqtrajtua nga prindërit, kanë nxitur reagime të shumta në opinion. Megjithatë, shumë raste të tjera mbeten të paraportuara, pasi një pjesë e viktimave nuk kërkojnë ndihmë nga frika apo rrethana të tjera.
Edhe pse numri i rasteve ka shënuar një rënie të lehtë, nga 2,547 raste në vitin 2024 në 2,509 raste në vitin 2025, kjo ulje prej -1.49% nuk konsiderohet e mjaftueshme për të reflektuar përmirësim të dukshëm të situatës.
Sociologët vlerësojnë se shkaqet e dhunës në familje janë të shumta dhe komplekse.
“Në qoftë se tek unë si i ri është ushtruar dhunë, atëherë si prind edhe unë kam predispozita të jem dhunues. Pastaj ndikojnë problemet e ndryshme sociale apo ekonomike ekzistenciale, të cilat krijojnë plasaritje dhe problematika të ndryshme familjare. Dhe në qoftë se ato nuk mund të përshtaten me apo të zgjidhen shumë lehtë shfaqet edhe dhuna. Në anën tjetër kemi edhe probleme të ndryshme patologjike, siç ishte rasti me nënën në rastin e fëmijës në Lipjan, që kishte probleme të ndryshme psikologjike”, tha Genc Xërxa.
Ai thekson se përgjegjësia nuk është vetëm e individit, por edhe e shoqërisë dhe institucioneve që duhet të ndërhyjnë kur prindërimi dështon.
“Duhet edhe shoqëria të interesohet dhe t’i dijë mekanizmat se si funskionojnë drejt kujdesit, në ato momente kur prindërimi çalon dhe nuk mund ta kryejë atë detyrën e vet humane dhe ligjore , të cilën e ka, atëherë duhet të dijë mekanizmat drejt kujdesit që ia bëjnë institucionet relevante qoftë fëmijës apo strehimit të tyre dhe mirëmbajtjes së shëndetit e mirëqenies së tyre”, shtoi Xërxa.
Edhe njohësit e sigurisë theksojnë se mungesa e parandalimit dhe koordinimit institucional ka ndikim në rritjen e rasteve.
“Duhet të kemi preventiv për parandalim. Dhe kush e bën preventivën për parandalim? Entet sociale, pastaj ata e alarmojnë policinë dhe pastaj policia tek pastaj reagon. Nuk mundet policia çdo ditë të javës ta ruaj 24 orë dhe 7 ditë të javës çdo shtëpi të Kosovës. Institucionet janë të ndara”, tha Arben Dashevci.
Nga ana tjetër, zyra e UNICEF-it në Kosovë paralajmëron për pasojat afatgjata që dhuna ka tek fëmijët dhe kërkon forcim të mekanizmave mbrojtës.
“Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve”, thotë zyra e UNICEF-it.
Vetëm gjatë së enjtes janë raportuar katër raste të dhunës në familje në Kosovë, duke dëshmuar se kjo dukuri mbetet ende e përhapur dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga të gjitha nivelet e shoqërisë.














