Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ngritur shqetësime për situatën politike në vend, duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse kriza institucionale vazhdon. Ai vlerëson se zhvillimet e fundit po e çojnë Kosovën drejt një gjendjeje pa stabilitet institucional dhe politik.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj theksoi se Kosova po kalon nga një situatë me mungesë të rendit në një gjendje edhe më të rëndë, ku rrezikohet të mbizotërojë kaosi dhe anarkia.
“Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim. Periudha kur pas zgjedhjeve ndërtoheshin shpejt institucionet tashmë i përket historisë. Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”.
Ai shtoi se në një kohë kur bota po përballet me sfida të mëdha, sipas tij, qeveria aktuale nuk po vepron në interes të shtetit.
“Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale. Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, tha ai.
Hoxhaj shkroi gjithashtu se nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare.
“Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim. Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij”, ka shkruar Hoxhaj.






