Një dokument i rrallë kartografik i shekullit XV është vënë për herë të parë në vëmendje të publikut në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, në kuadër të përkujtimit të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar. Bëhet fjalë për hartën portulane të vitit 1455, një dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe europiane.
Harta është punuar nga Bartolomeo Pareto, hartografi zyrtar i Papa Nikollës V, dhe përfaqëson një dokument të rrallë që ka pasur ndikim të gjerë në oborret e Europës dhe Azisë gjatë Mesjetës së vonë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë pamje nga ky dokument në rrjete sociale, duke e cilësuar atë si “një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare”. Sipas tij, në këtë hartë emri “Scandre Beco” – Skënderbeu – shfaqet si referencë gjeografike në zemër të Ballkanit, në një periudhë të shënuar nga rritja e presionit osman.
Gonxhja theksoi se ky fakt dëshmon qartë jehonën ndërkombëtare të figurës së Skënderbeut që në gjallje, si dhe rolin e tij kyç si mburojë e Europës së popujve gjatë shekullit XV.
Sipas ministrit, dokumenti përbën një burim të pazëvendësueshëm për albanologjinë dhe për studimin e historisë së kontinentit në kalimin nga Mesjeta drejt Kohës së Re. Hartat portulane të kësaj natyre shërbejnë si prova të rëndësishme të njohjes së Shqipërisë dhe të figurës së Skënderbeut në qarqet ndërkombëtare të kohës.
Ekspozita e hartës portulane të vitit 1455 synon t’u ofrojë vizitorëve një përvojë edukative dhe historike, duke vënë në pah trashëgiminë kombëtare dhe rolin e Skënderbeut si simbol i rezistencës dhe identitetit shqiptar.
Në fund, ministri Gonxhja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta parë nga afër dokumentin unik, duke vlerësuar rëndësinë e tij historike, kulturore dhe shkencore.









