Një nga grabitjet më të mëdha të objekteve kulturore në Kaliforni ka goditur Muzeun e Oaklandit, ku më shumë se 1,000 artefakte historike janë zhdukur brenda natës. Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim të gjerë për të zbardhur rastin, ndërsa ngjarja ka tronditur botën e artit dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas informacioneve paraprake, grabitja ka ndodhur në orët e para të 15 tetorit, në një depo të muzeut jashtë ndërtesës kryesore. Hajdutët dyshohet se kanë hyrë me plan të mirëorganizuar dhe kanë marrë objekte me vlerë të madhe, përfshirë bizhuteri antike, punime artizanale të komuniteteve autoktone amerikane dhe artefakte të rralla nga shekulli XX.
Drejtoresha e muzeut ka deklaruar se rasti është bërë publik për shkak të shqetësimit se objektet mund të jenë futur tashmë në tregun e zi ndërkombëtar të antikiteteve. Ajo ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar se kjo humbje prek të gjithë komunitetin, jo vetëm institucionin që i posedonte. /Gjurmuesi/









