Një i mitur në Ferizaj do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, pasi gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikë dhe armëmbajtje pa autorizim.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokuroria Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 23.02.2026, në një ndërtesë në një rrugë të Ferizajt, gjatë kontrollit të banesës nga oficerët policorë, në dhomën e gjumit të të miturit janë gjetur në vende të ndryshme substanca të dyshuara narkotike.
Bëhet fjalë për marihuanë me peshë 86.7 gram, tri qese najloni me substanca të dyshuara të llojit kokainë me peshë 4.7 gram, si dhe një sasi tjetër e llojit hashash në formë çokollate me peshë prej 40.2 gram. Po ashtu, janë gjetur para të gatshme në shumë prej 400 euro, një peshore dhe një pako me letra për mbështjellje të marihuanës, të cilat dyshohet se i kishte poseduar në mënyrë të paautorizuar. Të gjitha këto janë konfiskuar nga policia.
Gjithashtu, sipas dyshimeve, po në të njëjtën datë dhe në të njëjtin vend, të miturit i është gjetur një revole me gaz me mbishkrim Kurtulus – Taurus, një karikator dhe 6 plumba, si dhe një thikë. Edhe këto mjete dyshohet se janë poseduar në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe janë konfiskuar nga autoritetet.
Ndaj të miturit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.







