Lezha ka pasuruar trashëgiminë e saj kulturore me një hapësirë të re arti, duke shtuar në guidën e qytetit një galeri të përhershme kushtuar piktorit Pashk Përvathi. Kjo galeri sjell për publikun krijimtarinë shumëvjeçare të njërit prej emrave më të njohur të artit pamor shqiptar, pikërisht në qytetin ku ai ka lindur dhe ku e ka fillesën rrugëtimi i tij artistik.
Hapja e galerisë përbën realizimin e një dëshire të kahershme për vetë artistin, i cili e ka konsideruar Lezhën si vendin ideal për të ekspozuar veprën e tij jetësore.
“Kam realizuar një ëndërr të kahershme, një ëndërr që më është dukur sikur po e jetoja gjithmonë për këtë ditë. Desha ta kishte Lezha se krijimtaria ime jetë merr në këtë qytet”, u shpreh piktori.
Galeria përfshin punime që nga viti 1984, ku mbizotëron peizazhi si gjini, me pamje nga të gjitha trevat e Shqipërisë, por nuk mungojnë as portretet dhe natyrat e qeta.
“Veprat e përzgjedhura të ekspozuara përbëjnë një rrugëtim, një dëshmi sakrifice por dhe dashurie për artin”, tha piktori Agron Polovina.
Hapja e kësaj hapësire është vlerësuar si një pasuri e shtuar kulturore për qytetin dhe më gjerë.
“Përpos të gjitha thesareve që ka Lezha, një tjetër thesar i shtuar sot me hapjen e këtij muzeu dhe jo një galeri”, tha kritiku i artit Oltsen Gripshi.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, theksoi rëndësinë e figurës së Përvathit për qytetin.
“Pashku është një aset i çmuar për këtë qytet dhe japin gjithmonë energji pozitive për të cilën ne kemi nevojë”, theksoi Ndreu.
Ndërsa shkrimtari Marash Mirashi vuri në pah dimensionin poetik të veprës së tij.
“Në pikturën e Pashk Përvathit përmes ngjyrave na përthyhet edhe poezia, ndërsa në peizazhet e tij mjaft të bukura na vjen dhe si muzikë piktoreske”, tha ai.
Pashk Përvathi është autor i 41 ekspozitave personale brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe është vlerësuar ndër vite me dhjetëra çmime e tituj. Ai mban edhe dekoratat “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”. /Gjurmuesi/









