Festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” rikthehet me edicionin e 24-të, duke sjellë 18 koncerte dhe rreth 200 artistë në Prishtinë dhe Prizren. Këtë vit, festivali zhvillohet nga 27 deri më 31 tetor, nën temën “Kontrastet”, që fokusohet në bashkëjetesën midis traditës dhe inovacionit muzikor.
Krahas koncerteve, programi përfshin tryeza diskutimi, punëtori dhe aktivitete që nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar. Drejtoresha artistike, kompozitorja Donika Rudi, ka treguar se secili koncert është ndërtuar mbi idenë e kontrastit stilistik dhe kohor, duke ndërthurur muzikën e vjetër me atë moderne dhe elemente të trashëgimisë shqiptare.
Festivali hapet me koncertin e violinistit Tedi Papavrami dhe pianos Maki Okada, pasuar nga interpretimi i ansamblit “ReVocal” nën drejtimin e Rafet Rudit. Një veçanti e këtij edicioni është formati me dy koncerte çdo mbrëmje, që sjellin programe të ndryshme e të larmishme për publikun.
Në kuadër të festivalit zhvillohen edhe “koncertet e xhepit” – performanca më intime që ofrojnë një përvojë të veçantë muzikore dhe hapësira për njohje të artistëve me festivale e organizata ndërkombëtare. Programi “ReMusica Junior” synon përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve përmes koncerteve interaktive dhe punëtorive.
Edicioni i këtij viti do të përmbyllet me koncertet “Beyond Tradition” dhe “Unity in Diversity”, që sintetizojnë temën kryesore të festivalit – bashkimin e traditës me risinë.
Sipas Donika Rudit, ky edicion është ndër më të ngarkuarit në historinë e “ReMusicës”, me energji, ngjyra dhe diversitet të lartë artistik. “Çdo koncert ka ritmin, frymën dhe identitetin e vet – një udhëtim përmes kohës dhe stileve muzikore që reflekton shpirtin e festivalit,” ka theksuar ajo. /Gjurmuesi/









