Edicioni i tetë i festivalit PrIVocalFest do të hapet sonte në Prishtinë me koncertin recital “Në Zemër të Operës”. Ngjarja do të zhvillohet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, duke nisur nga ora 19:30, dhe do të sjellë në skenë artistë nga Kosova dhe jashtë saj.
Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë tenorin Granit Musliu dhe pianistin britanik Michael Pandya, të cilëve do t’u bashkohet si mysafire e mbrëmjes sopranoja Mirlinda Koci.
Në datën 20 tetor, festivali do të vazhdojë me koncertin e InterBalkanChoir, nën drejtimin e dirigjentëve Mary Konstantinidou dhe Hajrullah Syla. Ky koncert do të bashkojë zëra nga vende të ndryshme të Ballkanit, duke promovuar frymën e bashkëpunimit kulturor përmes muzikës.
Në dy netët përmbyllëse, Prishtina do të jetë mikpritëse e operës-tango “Maria de Buenos Aires” të kompozitorit argjentinas Astor Piazzolla. Pjesë e këtij produksioni do të jenë Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, nën dirigjimin e Kushtrim Gashit, me solistët Flaka Goranci (María), Rizah Jahaj (El Payador) dhe Alban Goranci (El Duende). Koreografia mban firmën e Raul De Marr, ndërsa në piano do të jetë Artemida Qarri.
Festivali pritet të sjellë një përvojë artistike të veçantë, duke ndërthurur talentin vendor me performanca ndërkombëtare që afirmojnë rolin e Prishtinës si qendër kulturore në rajon. /Gjurmuesi/









