Boga po konfirmohet si një nga destinacionet më të preferuara dimërore në vend. E vendosur mes maleve të larta dhe e favorizuar nga kushtet natyrore, kjo zonë turistike tërheq vizitorë të shumtë, sidomos gjatë sezonit të dimrit, kur qendra e skijimit merr gjallëri të veçantë.
Gjatë këtyre ditëve, pista e skijimit është e mbushur me vizitorë të të gjitha moshave. Organizimet me nxënës dhe fëmijë i japin zonës një atmosferë dinamike, ndërsa grupet e ardhura nga shkollat po e shfrytëzojnë ditën për aktivitete rekreative në borë.
Vizitorët shprehen të kënaqur me përvojën e tyre, duke e cilësuar Bogën si një vend të përshtatshëm për rekreacion dimëror. Ata vlerësojnë organizimin dhe natyrën, ndonëse theksojnë se pista e skijimit mund të jetë e kufizuar për shkak të numrit të madh të vizitorëve. “Jemi kënaq, kemi qëndruar gjatë gjithë ditës. Kemi ardh në mënyrë të organizuar me shkollë, shumë mirë kemi kaluar, vetëm pista e skijimit është pak e vogël”, tha Alea Hysenaj vizitore.
Edhe Gresa Hyseni dhe Eliza Kastrati u shprehën të kënaqura me qëndrimin në Bogë. ”Kemi ardh me shkollë dhe shumë mirë kemi kaluar, sigurisht se do të kërkojmë të vijmë prapë“, tha Gresa, derisa Eliza shtoi: “Ka qenë një ditë e mrekullueshme”.
Fluksi i madh i turistëve po reflektohet drejtpërdrejt edhe në kapacitetet akomoduese. Në 13 fshatrat e Rugovës, të cilat ofrojnë rreth 3 mijë shtretër, gjatë fundjavave nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë të interesuarit.
Afaristët në Bogë theksojnë se kërkesa për akomodim tejkalon kapacitetet aktuale. Sipas tyre, gjatë fundjavës të gjitha bujtinat dhe hotelet janë të rezervuara. “Në vikend të gjitha janë të rezervuara, nuk ka vende të lira. Ata që vijnë pa rezervim mbesin pa u akomoduar, pra ka kërkesa më shumë sesa që ka vende”, tha Agron Rudi, afarist.









