ASHAK reagon ndaj propozimit të ZPS-së për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, kërkon drejtësi pa ndikime politike

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka dalë me një qëndrim publik pas propozimit të Zyrës së Prokurorit Special për dënimin..

2 minutes

Read Time

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka dalë me një qëndrim publik pas propozimit të Zyrës së Prokurorit Special për dënimin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në reagim shprehet shqetësim i thellë për rrjedhën dhe pasojat që mund të ketë ky proces gjyqësor.

ASHAK thekson se çdo procedurë gjyqësore duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Çdo shmangie nga këto standarde paraqet influencë politike që lëndon legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në reagimin e Kryesisë së ASHAK-ut.

Në komunikatë theksohet edhe pesha historike dhe morale e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke u vlerësuar se roli i saj ka qenë vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe se ky kontribut nuk mund të vihet në dyshim apo të stigmatizohet.

“Kontributi i tyre ka qenë vendimtar në këtë proces historik dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet në kuadër të një procesi që mund të ketë motive politike”, vlerëson Kryesia e ASHAK-ut.

Akademia kundërshton po ashtu çdo tentativë për relativizimin e gjenocidit serb ndaj popullatës civile në Kosovë, duke theksuar se lufta e UÇK-së dhe sakrifica e shqiptarëve për liri janë pjesë e historisë së dokumentuar dhe të pamohueshme.

“Çdo përpjekje për të stigmatizuar luftën çlirimtare përmes interpretimeve të njëanshme, paraqet një kërcënim ndaj kujtesës historike dhe drejtësisë kolektive të popullit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Në fund, Kryesia e ASHAK-ut propozon që institucionet e Kosovës të krijojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

“Një qasje e tillë është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit”, thekson ASHAK, duke shtuar se Akademia mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë dhe analiza shkencore në këtë proces.

About the Author

About the Author

Easy WordPress Websites Builder: Versatile Demos for Blogs, News, eCommerce and More – One-Click Import, No Coding! 1000+ Ready-made Templates for Stunning Newspaper, Magazine, Blog, and Publishing Websites.

BlockSpare — News, Magazine and Blog Addons for (Gutenberg) Block Editor

Search the Archives

Access over the years of investigative journalism and breaking reports