Kënga “Nân” e këngëtarit shkodran Alis ka triumfuar në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, duke u shpallur fituese pas një gare të fortë dhe një nate finale plot emocione.
Fitorja e siguruar nga kombinimi i votave të publikut dhe pikëve të jurisë i hap rrugën Alis për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë.
Performanca e tij u vlerësua për fuqinë e zërit, interpretimin e veçantë dhe mesazhin e ndjerë që përcjell kënga “Nân”, një këngë që trajton dashurinë në formën e saj më universale dhe arriti të krijojë një lidhje të fortë emocionale me publikun.
Energjia dhe ndjeshmëria e Alis në skenë e shndërruan interpretimin e tij në një nga momentet më të spikatura të mbrëmjes finale, duke u shoqëruar me duartrokitje të gjata dhe ovacione nga salla.
Çmimi i parë iu dorëzua Alis nga kryetari i jurisë së Festivalit të Këngës, Ramë Lahaj. Në total, artisti grumbulloi 152 pikë nga votat e publikut dhe vlerësimi i jurisë.
Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa vendi i tretë i takoi Sheilës me 93 pikë.
Sipas renditjes së jurisë profesionale, Alis u pozicionua i pari, Sheila e dyta dhe Vedat Ademi i treti. Fituesi u përcaktua sipas formulës së votimit 50 për qind nga juria dhe 50 për qind nga publiku, duke synuar një rezultat sa më të drejtë dhe transparent.
Momenti i ndarjes së çmimit ishte tejet emocional për Alis, i cili u përlot në skenë, puthi trofeun dhe, si shenjë falënderimi për publikun, interpretoi edhe një herë këngën fituese, duke e mbyllur festivalin me një atmosferë të ngarkuar emocionalisht.
Kjo fitore rikonfirmon rolin e Festivalit të Këngës si ngjarja më e rëndësishme muzikore në vend, që shërben si platformë për promovimin e talenteve shqiptare dhe përzgjedhjen e përfaqësuesit të Shqipërisë në skenën evropiane të muzikës. /Gjurmuesi/









