Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se fillimi i këtij viti është shoqëruar me rritje të të hyrave nga tatimet. Sipas institucionit, trendi pozitiv gjatë dy muajve të parë tregon një përmirësim të përmbushjes së obligimeve nga ana e tatimpaguesve dhe një administrim më efikas të proceseve fiskale.
Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur gjithsej 206.9 milionë euro të hyra nga tatimet, që përfaqëson një rritje prej 22.6 milionë eurosh, ose 12.2 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Kjo rritje pasqyron jo vetëm performancën e të hyrave, por edhe progresin në forcimin e administrimit tatimor dhe në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që përmbushin obligimet e tyre në mënyrë të rregullt”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Nga ky institucion bëhet e ditur se do të vazhdohet me përpjekjet për ta forcuar edhe më tej këtë trend pozitiv. Kjo pritet të arrihet përmes avancimit të proceseve të punës, përdorimit më të madh të teknologjisë në administrimin tatimor, analizës më të thelluar të riskut dhe intensifikimit të aktiviteteve kundër ekonomisë joformale.
“Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë tatimpaguesit se afati për dorëzimin e Deklarimit Vjetor të të Ardhurave është deri më 31 mars. Të gjithë tatimpaguesit inkurajohen që të përmbushin këtë obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar, duke shfrytëzuar shërbimet elektronike për një proces më të lehtë dhe më efikas të deklarimit”, thotë ATK-ja.









