Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete i Kuvendit të Kosovës ka filluar shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat synojnë që Presidenti ose Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Anëtari i komisionit, Adnan Rrustemi, bëri të ditur se komisioni ka marrë detyrën nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të analizuar amendamentet dhe për të ndërmarrë procedurat institucionale të nevojshme.
Sipas Rrustemit, qëllimi i këtyre ndryshimeve është të ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke kaluar nga votimi në Kuvend në votimin e drejtpërdrejtë nga populli. Ai shtoi se modeli i ri synon të shmangë ngërçet politike që në të kaluarën kanë penguar funksionimin e institucioneve dhe kanë rrezikuar stabilitetin institucional.
“Me këtë mënyrë synohet të shmangen bllokadat politike që shpesh kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvend, duke krijuar më shumë stabilitet dhe funksionim më të qëndrueshëm të institucioneve,” tha Rrustemi.







