Një operacion i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) ka përfunduar me arrestimin e katër personave të dyshuar për një skemë mashtrimi që lidhet me tjetërsimin e paligjshëm të një prone me vlerë mbi 1.5 milion euro.
Sipas hetimeve, të dyshuarit përmes veprimeve të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve, pasaportës së Serbisë dhe dokumenteve të tjera, si dhe duke i përdorur ato si të vërteta – madje duke prezantuar një person të rrejshëm si person real – kanë arritur ta tjetërsojnë/shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari.
Njëkohësisht, ata dyshohet se kanë mashtruar blerësin H.M., duke e bindur se po blinte pronë me dokumentacion të rregullt. Në këmbim të kësaj, ata kanë përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro.
Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000.00 euro si provë materiale për procedurat e mëtejme.
Personat e dyshuar dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Mashtrimit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Të dyshuarit M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.







