Procesi i shqyrtimit të ankesave që lidhen me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka hyrë në fazën përfundimtare në Gjykatën Supreme.
Kjo gjykatë ka bërë të ditur se ka trajtuar gjithsej gjashtë ankesa administrative të parashtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin drejtpërdrejt me rezultatet zgjedhore.
Nga Gjykata Supreme është konfirmuar se gjatë ditës së sotme pritet të përmbyllet përpilimi i vendimeve përkatëse, si dhe dërgimi i tyre tek palët e përfshira në procedurë.
“Ju njoftojmë se ankesat administrative të paraqitura në Gjykate Supreme, kundër vendimeve të PZAP-se janë shqyrtuar dhe gjatë ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe ekspedimi i tyre tek palët. Gjykata do t’ju njoftojë me kohë për mënyrën e vendosjes”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.
Vendimet pritet të sqarojnë përfundimisht çështjet e ngritura përmes ankesave dhe të japin drejtim final lidhur me kontestet zgjedhore.







