Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sugjeruar në një takim me homologun e saj nga Singapori, Tharman Shanmugaratnam, heqjen e plotë të vizave për qytetarët e të dyja vendeve. Takimi u zhvillua në Davos, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, ku liderët diskutuan mundësitë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare.
Osmani theksoi se pasi qytetarët me pasaporta diplomatike dhe zyrtare të përfitojnë liberalizimin e vizave, hapi i ardhshëm duhet të jetë liberalizimi i plotë për të gjithë qytetarët, duke e parë këtë si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për t’i afruar më shumë popujt e tyre.
Gjithashtu, liderët diskutuan mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik të përbashkët dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Singapori e ka njohur Kosovën si shtet më 2016.







