Subjektet politike në Kosovë do t’u drejtohen sërish votuesve, duke nisur edhe një tjetër fushatë zgjedhore brenda të njëjtit vit kalendarik. Kjo do të jetë hera e katërt që organizohet fushatë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit.
Pas këtyre proceseve zgjedhore, partitë dhe kandidatët do të kërkojnë përsëri mbështetje në zgjedhjet e parakohshme, ku garojnë 24 subjekte politike me gjithsej 1.180 kandidatë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore do të zhvillohet nga data 17 dhjetor deri në orën 06:59 të 28 dhjetorit.
“Për 11 ditë e 7 orë, subjektet politike do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi i Kosovës, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në shkurt dhe tetor të këtij viti, një ditë para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha Elezi.
Ai ka sqaruar gjithashtu se gjatë fushatës ekzistojnë ndalesa dhe kufizime ligjore të cilat duhet të respektohen nga subjektet politike dhe përkrahësit e tyre.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.
Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte shqiptuar gjoba në vlerë prej 651 mijë euro ndaj subjekteve politike që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes.
KQZ-ja ka njoftuar se gjatë fushatës aktuale do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme për të përcjellë organizimin e tubimeve, fushatat reklamuese dhe materialet promovuese.
“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës”, njoftoi Elezi.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë certifikuar gjithsej 24 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat të pavarur, ndërsa në garë janë 1.180 kandidatë për ulëse në Kuvend.







