Një shofer i platformës së shpërndarjes Just Eat është përballur me probleme serioze në punë pasi sistemi i verifikimit nuk arriti ta identifikonte pas heqjes së mjekrës. Ndryshimi në pamje, që në kushte normale nuk do të duhej të shkaktonte pengesa, këtë herë çoi në çaktivizimin e llogarisë së tij.
Adam Stockley, 35 vjeçar nga Londra, tregon se aplikacioni nuk e njohu dot pas rruajtjes së mjekrës, për shkak se në fotografinë e pasaportës paraqitet me mjekër. Ai thotë se verifikimet automatike janë treguar jashtëzakonisht të rrepta dhe dyshon që rasti i tij është shqyrtuar pa ndërhyrje njerëzore.
Ndërkohë, kompania ka njoftuar se është duke e hetuar urgjentisht çështjen dhe ka pranuar se teknologjia duhet të jetë në gjendje të përshtatet me ndryshime të tilla të pamjes si prerja e flokëve apo heqja e mjekrës.
Sipas Adam, kontrollet e identitetit janë shtrënguar kohëve të fundit për të parandaluar punën e paligjshme, duke kërkuar verifikim të shpeshtë – si gjatë hyrjes në aplikacion ashtu edhe gjatë ndërrimit. Megjithatë, pas ndryshimit të pamjes, sistemi ka dështuar vazhdimisht ta njohë, duke bërë që llogaria e tij të dezaktivohet disa herë. /Gjurmuesi/









