Asambleja e Kryeqytetit ka miratuar hyrat komunale për vitin 2024, duke siguruar 28 milionë euro për funksionimin e Komunës së Prishtinës dhe projekte të ndryshme kapitale. Ky vendim erdhi pas debatit mbi nevojën për zhbllokimin e mjeteve që ende nuk janë alokuar nga Ministria e Financave.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm për stabilitetin financiar të komunës dhe kërkoi nga ministri në detyrë që të lehtësojë shpërndarjen e 35 milionë eurove të tjera, prej të cilave 25 milionë janë të hyrat vetanake dhe 10 milionë nga një grant qeveritar, të cilat sipas tij, nuk kanë nevojë për procedura shtesë për miratim, por vetëm për vullnetin e ministrit. Rama theksoi se zhbllokimi i këtyre fondeve është i domosdoshëm për vazhdimin e projekteve dhe shërbimeve për qytetarët.
Pas këtij vendimi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi duke nënvizuar se Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka ndërmarrë atë që, sipas tij, nuk ishte realizuar më parë nga Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Kosovës. Murati theksoi se bartja e të hyrave vetanake ka shërbyer për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike.
Ai shtoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, interesat e qytetarëve mbeten prioritet kryesor dhe se çdo vendim i tillë synon të sigurojë funksionimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj komunitetit. /Gjurmuesi/







